Neni 49
Përbërja e këshillit të qarkut
1. Këshilli i qarkut përbëhet nga përfaqësues e bashkive që bëjnë pjesë në qark.
2. Kryetarët e bashkive, që bëjnë pjesë në qark, janë kurdoherë anëtarë të këshillit të qarkut.
3. Numri i anëtarëve të këshillit të qarkut përcaktohet sipas nenit 50 të këtij ligji.
4. Funksioni i anëtarit të këshillit të qarkut është i papajtueshëm me çdo funksion në administratën e qarkut.
Neni 50
Përcaktimi i numrit të anëtarëve të këshillit të qarkut
1. Numri i përfaqësuesve të komunave dhe bashkive në këshillin e qarkut caktohet në përpjesëtim me numrin e popullsisë si më poshtë:
  • Komunat e bashkitë me popullsi deri në 5 000 banorë – 1 përfaqësues.
  • Komunat e bashkitë me 5 001 deri në 10 000 banorë – 2 përfaqësues.
  • Komunat e bashkitë me 10 001 deri në 30 000 banorë – 3 përfaqësues.
  • Komunat e bashkitë me 30 001 deri në 50 000 banorë – 4 përfaqësues
  • Komunat e bashkitë me 50 001 deri në 100 000 banorë – 5 përfaqësues.
  • Komunat e bashkitë me mbi 100 000 banorë – 5 + nga një përfaqësues shtesë për çdo 1 deri në 50 000 banorë mbi 100 000 banorë.
2. Në rastet kur komuna ose bashkia ka vetëm një përfaqësues, ky përfaqësim bëhet drejtpërdrejt nga kryetari i komunës ose bashkisë. Në rastet kur komuna ose bashkia kanë më shumë se një përfaqësues, përfaqësuesit e tjerë zgjidhen nga këshilli përkatës.
3. Prefekti përcakton numrin e përfaqësuesve të çdo komune e bashkie që përfshihen në territorin e qarkut, duke u bazuar në të dhënat e numrit të popullsisë, sipas evidencave të zyrave të gjendjes civile të datës 1 janar të vitit të zgjedhjeve.
4. Vendimet e këshillave komunale dhe bashkiake për përfaqësuesit e tyre në këshillin e qarkut i dërgohen prefektit brenda 10 ditëve nga data e marrjes së tyre.
Neni 51
Mbledhja e parë e këshillit të qarkut
1. Këshilli i qarkut zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 50 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve vendore.
2. Mbledhja e parë thirret nga kryetari i bashkisë, qendër e qarkut, ose nga një e treta e anëtarëve të këshillit të qarkut. Njoftimi për mbledhjen e këshillit të qarkut i dërgohet me shkrim të gjithë anëtarëve të këshillit të qarkut jo më vonë se 10 ditë para datës së mbledhjes.
3. Mbledhja e parë e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se gjysma e anëtarëve të tij.
4. Mbledhja e parë e këshillit, deri në zgjedhjen e kryetarit të këshillit të qarkut, drejtohet nga kryetari i bashkisë, qendër e qarkut.
5. Në mbledhjen e tij të parë këshilli i qarkut:
a) zgjedh komisionin e mandateve, i cili verifikon mandatet e anëtarëve të këshillit;
b) vërteton mandatet e anëtarëve të këshillit;
c) zgjedh kryetarin, zëvendëskryetarin dhe kryesinë e këshillit të qarkut.
6. Këshilli i qarkut konstituohet pas vërtetimit të mandateve të jo më pak se gjysmës së anëtarëve të tij.
7. Nëse nuk sigurohet pjesëmarrja e gjysmës së anëtarëve të këshillit të qarkut, mbledhja anulohet dhe thirret çdo dhjetë ditë, derisa të sigurohet shumica e nevojshme.
8. Në rast se këshilli i qarkut nuk konstituohet deri 90 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve vendore, prefekti ushtron të gjitha funksionet dhe kompetencat e këtij këshilli deri në çastin e konstituimit.
Neni 52
Mandati i këshilltarit të qarkut
1. Mandatin e këshilltarit të qarkut e fitojnë të gjithë kryetarët e komunave dhe të bashkive përbërëse të tij, menjëherë me marrjen e mandatit përkatës.
2. Zgjedhja e anëtarëve të këshillit të qarkut përfaqësues nga radhët e këshillit komunal ose bashkiak, në përputhje me nenin 26 të këtij
ligji, bëhet me votim liste shumemërore kandidatësh dhe shpallen fitues kandidati ose kandidatët që kanë marrë me shumë vota.
3. Anëtarit të këshillit të qarkut i mbaron mandati kur:
a) humbet mandatin si kryetar i komunës ose bashkisë;
b) mandati i anëtarit hiqet nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës;
c) vërtetohet se mandati është fituar në mënyrë të paligjshme.
4. Në rastin e krijimit të vendit vakant, që lidhet me humbjen e mandatit të anëtarit të këshillit të qarkut nga një anëtar i këshillit të një komune ose bashkie, ai zëvendësohet nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës.
5. Në rast se vendi vakant krijohet nga humbja e mandatit të anëtarit të këshillit të qarkut nga një kryetar komune ose bashkie në 6 muajt e fundit të mandatit, vendin e tij e zë kryetari i zgjedhur nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës.
Neni 53
Funksionimi i këshillit të qarkut
1. Këshilli i qarkut ushtron kompetencat nga çasti i konstituimit të tij deri në konstituimin e këshillit pasardhës.
2. Mbledhja e radhës e këshillit të qarkut bëhet jo më pak se një herë në tre muaj.
3. Mbledhjet zhvillohen sipas programit të punës që bën këshilli.
4. Këshilli i qarkut mblidhet jashtë radhe me kërkesë:
a) të kryetarit të tij;
b) të kryesisë së këshillit;
c) të një të tretës së anëtarëve të këshillit;
ç) të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tij.
5. Thirrja e mbledhjes së këshillit bëhet nga kryetari.
6. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet si rregull jo më pak se 10 ditë para datës së zhvillimit të mbledhjes. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës.
7. Mbledhja e këshillit të qarkut quhet e vlefshme, kur në të merr pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 54
Detyrat dhe kompetencat e këshillit të qarkut
Këshilli i qarkut ushtron këto kompetenca dhe detyra:
a) miraton statutin e qarkut, si dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;
b) vendos për nivelin e ndihmesave financiare të detyrueshme të çdo komune dhe bashkie përbërëse në buxhetin e qarkut;
c) zgjedh dhe shkarkon nga anëtarët e këshillit kryetarin, zëvendëskryetarin dhe anëtarët e kryesisë;
ç) emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit të qarkut;
d) miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së qarkut, të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të qarkut, si dhe numrin e personelit të tyre, kërkesat për kualifikim, pagat dhe mënyrat e shpërblimit të punonjësve dhe të personave të tjerë të zgjedhur ose të emëruar në përputhje me legjislacionin në fuqi;
dh) miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose është bashkëthemelues;
e) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij;
ë) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;
f)organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm;
g) vendos për taksat e tarifat në kompetencë të qarkut, si dhe për nivelin e tyre;
gj) vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;
h) vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të qeverisjes vendore, përfshi subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë;
i) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi të tij;
j) vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;
k) vendos për vërtetimin dhe heqjen e mandatit të këshilltarit të qarkut;
l) miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik në nivel qarku;
ll) vendos për simbolet e qarkut;
m) jep tituj nderi dhe stimuj;
n) vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara në bazë dhe në zbatim të ligjit me të cilin bëhet ky delegim në qark;
nj) miraton ose shfuqizon vendimet e kryesisë së qarkut.

Kryetar i Këshillit të Qarkut

Kryetari I keshillit te qarkut, Z.Alfred Mullaraj

Mirëserdhet në faqjen zyrtare të Këshillit të Qarkut Durrës.

Z. Alfred Mullaraj
Kryetar i Këshillit të Qarkut

Harta

Qarku Durres

Click to open larger map